Klinika Petal

Cfare eshte Pap-testi?

Çfarë është Pap-testi?
Pap-testi është një test depistues për ndryshimet malinje dhe premalinje të qafës së mitrës. Një rezultat pozitiv tregon se mund të ketë ndryshime patologjike dhe se duhet të kryhen procedura të mëtejshme diagnostike. Depistimi me Pap-test rekomandohet për të gjitha femrat duke filluar nga mosha 18 vjeç ose me fillimin e aktivitetit seksual (nqs aktiviteti seksual ka filluar para kësaj moshe). Intervali i depistimit është zakonisht një herë në vit. Nqs gruaja ka 3 Pap-teste normale (negative) ne 3 vjet, njëra pas tjetrës, kontrolli me Pap-test mund te behet cdo 2-3 vjet.

Përse kryhet Pap-testi?
Qëllimi i kryerjes së Pap-testit është të kërkojë për ndryshime të mundshme në qelizat e kolumit (qafës së mitrës). Gjetja e këtyre ndryshimeve në faza fillestare dhe trajtimi i tyre i hershëm, do të parandalojë zhvillimin e kancerit të kolumit. Pap-testi zakonisht kryhet si pjesë e ekzaminimeve periodike gjinekologjike të një gruaje. Pap-testi kryhet në kushte ambulatore për vetëm pak minuta.

Si kryhet Pap-testi?
Pap-testi kryhet duke shkëputur me kujdes qeliza nga kolumi, dhe duke i shtrirë dhe fiksuar ato me kujdes në një lamë mikroskopi, e cila dërgohet ne laboratorin e patologjisë për ngjyrim dhe vlerësim. Ka pasur dy sisteme vlerësimi, por vitet e fundit përdoret vetëm sistemi i ri i Bethesdës.

Si të përgatiteni para marrjes së një Pap-testi?
Ky ekzaminim duhet të kryhet kur nuk jeni me perioda, meqenëse gjaku mund të pengojë vlerësimin e rezultatit. Idealja do të ishte dita e 10-14 që nga dita e parë e periodave. Megjithatë edhe nëse keni një sasi minimale hemorragjie, testi përsëri mund të kryhet. Është mirë të evitohet përdorimi i tamponeve vaginale, shplarësve vaginalë, dhe dushit vaginal për të paktën 24 orë para marrjes së Paptestit. Nëqoftëse keni simptoma të tilla si sekrecione hemorragjike pas kontaktit seksual, dhe nuk keni kryer asnjë Pap-test, duhet të planifikoni një Pap-test sa më parë t’ju krijohet mundësia. HPV dhe kanceri cervikal
Kanceri cervikal gati gjithmonë është i lidhur me HPV (virusi papilomatoz human), i cili transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual. Infeksioni me HPV është kaq i përhapur në ditët e sotme, saqë mund të quhet pjesë normale e aktivitetit seksual. Por megjithatë, shumica e grave që mbartin HPV-në, nuk do të
zhvillojnë kancer cervical gjatë jetës së tyre. Kjo ndodh, pasi në shumicën e rasteve, HPV vetëpastrohet nga organizmi. Kjo mund të kërkojë 1 deri në 2 vjet,
dhe nuk kërkon trajtim. Në rastet e tjera, virusi mund të persistojë në qelizat cervikale duke shkaktuar dëmtime qelizore. Nëqoftëse këto ndryshime nuk
zbulohen në kohën e duhur ose lihen pa u trajtuar, rreziku për zhvillimin e kancerit të kolumit rritet.

Rezultatet normale
Nëqoftëse në Pap-test zbulohen vetëm qeliza normale, përgjigjia do të jetë: “Qeliza brenda kufirit normal”, dhe rezultati do të quhet negativ. Pap-testi juaj i ardhshëm do të jetë pas 1 apo 2 vjetësh, sipas rastit.

Rezultatet anormale
Nëqoftëse në Pap-test zbulohen qeliza anormale, rezultati do të quhet pozitiv. Megjithëse kanceri i kolumit është gjëja e parë që mund t’ju shkojë në mendje, në shumicën e rasteve, një pap-test anormal tregon një problem minor të kolumit, që mund ose mund të mos kërkojë fare trajtim, por vetëm kontrolle më të shpeshta (kjo varet nga tipi i qelizave të zbuluara në Pap-test). Nëqoftëse rezultati i Paptestit zbulon një anomali, që nga ndryshimet minimale e deri në ndryshimet e gradës së lartë, atëherë mund t’ju rekomandohet të kryeni një ekzaminim tjetër të quajtur kolposkopi. Kolposkopi është një instrument që zmadhon qelizat e kolumit, duke na dhënë një pamje të drejtpërdrejtë të përhapjes dhe natyrës së kësaj anomalie.